Arkitektët si Ushtarë: Kur Arkitektura Bëhet Vegël e Pushtetit
E dëgjova me vëmendje fjalimin e Kryeministrit në eventin me 150 arkitektë në Tiranë. Si gjithnjë, shumë fjalë, pak përmbajtje. Por, në mes të fjalëve boshe dhe lavdeve të zakonshme, dy elementë më bënë veçanërisht përshtypje, sepse nuk ishin thjesht retorikë, por sinjale të qarta politike për drejtimin që ky “bashkëpunim” do të marrë.

Së pari, ishte premtimi se ky është një “rast që nuk përsëritet”, sepse në Shqipëri arkitektët do të kenë mundësinë të “eksperimentojnë” pa ato “rregullat e bezdisshme” që i pengojnë në vende të tjera. Nënkuptimi ishte i qartë: këtu nuk ka burokraci, nuk ka ligje që të ndalojnë, nëse ideja pëlqehet nga lart, gjithçka tjetër rregullohet më pas. Nëse duhet, ndryshohet edhe ligji. Ky është edhe një konfirmim i heshtur: në Shqipëri, arkitektura është mbi ligjin - ose, më saktë, poshtë vullnetit të një njeriu të vetëm.
Elementi i dytë ishte edhe më i drejtpërdrejtë: ai i quajti disa herë arkitektët “ushtarë”, “ushtri arkitektësh”, “arkitektët ushtarë”. Por ushtari, në vetvete, është figura më e kundërt me shpirtin e vërtetë të një arkitekti. Ushtari bindet, nuk kundërshton. Zbaton urdhra, nuk imagjinon. Ruan vijën, nuk thyen kufij. Ndaj, kur një Kryeministër i thotë arkitektëve se janë pjesë e “ushtrisë së tij”, ai nuk po i fton të krijojnë qytetin e së ardhmes; po i fton të zbatojnë një vizion autoritar, të ndërtuar pa debat, pa shpirt kritik, pa disidencë urbane.

Në thelb, kjo nuk ishte një ftesë për bashkëpunim krijues. Ishte një thirrje për disiplinim. Një “mobilizim” i arkitektëve për të zbatuar vizionin e liderit, jo për të menduar ndryshe. Kush guxon të imagjinojë ndryshe, është i tepërt në këtë “ushtri”.
Por, patjetër që do të ishte i tillë, që nga vetë ideimi i tij si një festë private e Kryeministrit me një rreth të ngushtë të ftuarish. Nëse dëshira do të ishte vërtet të ftonte arkitektët më të mirë për të dhënë kontribut për Shqipërinë, ai do ta bënte duke zhvilluar një takim me një temë specifike, mbi një problem real që do të përballej. Dhe ftesa duhej të ishte transparente dhe e shpallur disa muaj më parë, e hapur per cdo arkitekt nderkombetar e vendas. Por, ashtu siç bëhen projektet pa konkurse reale, por me emërim të drejtpërdrejtë të mikut apo të preferuarit të Liderit, ashtu u bë edhe ky event.

Marrim shembullin e Sazanit dhe Zvërnecit: në një shtet demokratik do të ishte shpallur një konkurs ndërkombëtar projekti idesh fillimisht, dhe nga ato do të zgjidhej më i miri, do të konsultohej me publikun e gjerë dhe grupet e interesit, e më pas do të kalohej në fazën e dytë apo dhe nje te trete të konkursit për të përzgjedhur zbatuesin. Edhe investitori do të përzgjidhej me konkurrim për oferta ndërkombëtare, pasi të ishte aprovuar projekti fitues, dhe t’i jepej mundësia atij që do të sillte ofertën më fitimprurëse për Shqipërinë në terma afatgjatë.
Ky event, që mund të ishte një mundësi për dialog të vërtetë mbi arkitekturën, mbi qytetin, mbi gjithë territorin, mbi krizën urbane që po kalon Tirana dhe bregdeti, u kthye në një manifestim të pushtetit personal mbi profesionin. Dhe anasjelltas ne nje shfaqje te peshtire serivilizmi i arkitekteve ndaj pushtetit. Dhe për sa kohë arkitektura do t’i shërbejë pushtetit në vend që ta sfidojë atë, natyra jone, qyteti ynë do të vazhdojë të humbasë identitetin, hapësirën, dinjitetin.