A po humbet në sfond godina e Ismail Qemalit?
Nuk po hyj në këtë shkrim në diskutimin mbi llojin, funksionin apo përmbajtjen e muzeut të ri — ky është një debat më vete. Po e trajtoj çështjen vetëm nga këndvështrimi im si arkitekt, në raport me trashëgiminë kulturore, strukturën historike të qytetit dhe mënyrën se si një ndërhyrje e re duhet të bashkëjetojë me të.

I — Një bërthamë historike nuk mund të trajtohet si parcelë e vetmuar
Në një zonë historike, vlera nuk qëndron vetëm te ndërtesat e marra një nga një, por te marrëdhënia midis tyre: volumet, lartësitë, shkalla, boshllëqet, perspektivat dhe mënyra se si ato formojnë një ansambël urban.
Godina e ish-Klubit Patriotik "Labëria" (sot Muzeu Etnografik) është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I që nga viti 1963, kjo godinë ka shërbyer si vatër e ndërgjegjes kombëtare: në vitin 1908 ajo mirëpriti Klubin "Labëria" me Ismail Qemalin si kryetar nderi, ndërsa në vitin 1909 shërbeu si shkolla e parë e vashave në Vlorë, e drejtuar nga patriotja Marigo Posio.
Pikërisht për këtë arsye, ndërhyrja pranë Muzeut Etnografik nuk duhet parë si projekt për një parcelë të veçuar. Duhet studiuar i gjithë blloku historik si një tërësi, në mënyrë që çdo ndërhyrje e re të përshtatet me strukturën ekzistuese dhe të mos e shpërfytyrojë atë. Problemi nuk është vetëm se çfarë ndërtohet, por çfarë i ndodh tërësisë historike pas ndërtimit.

II — Hierarkia dhe marrëdhënia me monumentin: E reja duhet të dialogojë, jo të mbulojë
Nuk po flasim për një bllok ndërrtimesh me shtrirje në të gjithë qytetin, por për një grup të kufizuar godinash brenda Zonës Arkeologjike "B", që marrin forcë pikërisht nga bashkë-ekzistenca e tyre si një strukturë e vetme arkitekturore, urbanistike dhe kulturore. Në një ansambël të tillë të brishtë, shpërfytyrimi apo tjetërsimi i njërës gjysmë dëmton rëndë dhe tjetërson menjëherë edhe pjesën tjetër.
Arkitektura bashkëkohore mund dhe duhet të ndërhyjë pranë monumenteve — kur është e menduar mirë, ajo e nxjerr më shumë në pah të vjetrën. Por në projektin e paraqitur, mjafton t'i shohësh pamjet me vëmendje për të kuptuar se ndërtimi i ri nuk po e respekton kontekstin. Përkundrazi, ai duket sikur po mundohet ta fshehë e ta mbulojë atë përmes dy ndërhyrjeve agresive vizuale:
Volumi i ri mbi nivelin e ndërtesës historike (kati shtesë): Ngrihet në lartësi duke tjetërsuar siluetën e sfondin e monumentit dhe duke u bërë objekti më i lartë ndër ato historike.
Objekti i ri me formë "plastike" në shesh: Shtohet direkt në fushëpamjen kryesore nga sheshi, duke krijuar një masë që zëvendëson leximin e zonës historike.

Çështja këtu është shkalla, pozicionimi dhe volumetria. Pyetja nuk është vetëm “A është i mirë objekti i ri?”, por “Çfarë i bën ky objekt monumentit që ka pranë?” Nëse ndërhyrja e re ndryshon siluetën dhe hierarkinë vizuale, ndikimi mbi trashëgiminë është i pakthyeshëm — edhe nëse asnjë gur i ndërtesës historike nuk preket fizikisht.
III — Çfarë po i ofrojmë turistit kulturor dhe artistik?
Vlora ka zyrtarisht vetëm 3 muze në të gjithë territorin e saj: Muzeun e Pavarësisë, Muzeun Historik dhe Muzeun Etnografik (pikërisht në godinën ngjitur me kantierin). Muzeu i katërt i Vlorës duhet të përforcojë dhe të rrisë vlerat e monumentit ngjitur, jo ta hijezojë atë.
Turisti kulturor nuk vjen në Vlorë për të parë një arkitekturë copy-paste që mund ta gjejë në dhjetëra qytete të botës; ai kërkon identitetin, shkallën e rrugëve dhe traditën e vendit. Sot po përballemi me një paradoks: në vend që Muzeu Etnografik dhe ndërtesat historike përreth të jenë protagonistët e peizazhit urban, po rrezikojmë t'i kthejmë ato në thjesht një sfond të arkitekturës së re.

Iv —Rijetëzim po, shpërfytyrim volumetrik jo!
Qëndrimi im si arkitekt është i qartë: Le të bëhet rijetëzimi i brendshëm i godinës dhe transformimi i saj në muze, por kjo duhet të realizohet pa shtuar volum të ri si kat shtesë dhe pa ndërtuar një objekt të ri në shesh që bllokon fushëpamjen e ansamblit të plotë.
Interesi i qytetit mbrohet duke i dhënë funksion të ri godinës, por pa cenuar e pa nxjerrë në hije monumentin kryesor etnografik (ish-Klubin Patriotik "Labëria" të Ismail Qemalit). Zhvillimi i qytetit është i domosdoshëm, por po aq e domosdoshme është të dimë çfarë nuk duhet të humbasim gjatë zhvillimit. Nëse e humbasim autenticitetin e këtij blloku, mund të fitojmë një kompleks modern, por kemi humbur pikërisht arsyen pse turisti vjen.

V — Propozim KONKRET NË ASPEKTIN ARKITEKTUROR
Sygjeroj pezullimin e menjëhershëm të projektit aktual dhe HARTIMIN E NJË PROJEKTI TË RI, TË INTEGRUAR PËR TË GJITHË ANSAMBLIN HISTORIK, duke e trajtuar tërësinë e ndërtesave dhe hapësirave të bllokut si një ansambël të vetëm arkitektonik dhe urban, dhe jo si një ndërhyrje të izoluar në një godinë të vetme, mbi bazën e këtyre kritereve baze:
- Pa kate apo volumetri shtesë mbi ndërtesat ekzistuese historike, përfshirë strukturat e lehta apo prej xhami.
- Pa ndërtime të reja në hapësirën e sheshit, duke ruajtur fushëpamjet dhe perceptimin e plotë të ansamblit historik nga bulevardi dhe sheshi, veçanërisht të Muzeut Etnografik.
- Ruajtjen e vazhdimësisë së fasadës së bllokut, pa ndërtime, volume apo ura lidhëse që e copëzojnë atë si ansambël arkitektonik.
- Rijetëzimin dhe rikonstruksionin e ndërtesave ekzistuese për funksion muzeal, përmes ndërhyrjeve restauruese që ruajnë vlerat e tyre historike dhe arkitekturore.
- Mbrojtjen e integritetit dhe unicitetit të Muzeut Etnografik (ish-Klubi Patriotik “Labëria”), duke garantuar që ndërhyrjet e reja të mos kenë asnjë impakt negativ viziv apo strukturor mbi të dhe duke ruajtur e lartësuar rolin e tij si elementi kryesor referues i ansamblit.

Kjo analizë erdhi pas një kërkese nga qytetarë të Vlorës, të cilët janë të shqetësuar edhe për integritetin strukturor të monumentit nga punimet ngjitur — element për të cilin nuk mund të shprehem pa një studim të dedikuar gjeoteknik e inxhinierik.
Analiza ka për qëllim të ndihmojë debatin publik dhe të nxitë aktivizmin qytetar për të mbrojtur vlerat dhe identitetin tonë kulturor. Nëse ky shkrim ju duket me interes për publikun, ju ftoj ta shpërndani, të lini mendimin tuaj në komente dhe të bëheni pjesë e diskutimit.
Ketu mund te shikoni videon si ishte!
